Ish-Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka reaguar lidhur me gjendjen e krijuar në vend pas shtimit të rasteve me virusin Covid-19.
Kurti, ka akuzuar qeverinë e re të drejtuar nga Kryeministri Avdullah Hoti, për keqmenaxhim.Sipas Kurtit, kjo qeveri do të mbahet mend si më e dobëta dhe më e mbrapshta e pasluftës, krahasimi me të cilën s’do t’i bëjë nder asnjë qeverie në të ardhmen.
“Na e hoqën sigurinë shëndetësore gjoja për hir të lirisë ekonomike. Tash po i humbim të dyja, sepse kundërthënia është e rrejshme. Shëndetësia dhe ekonomia janë të ndërvarura dhe është iluzion të mendojmë se mund të zgjedhim njërën mbi tjetrën. Këta erdhën si çlirimtarë të biznesit dhe turizmit, por po e mbushin morgun e spitalit. Numri i vendeve evropiane që e kanë futur Kosovën në listën e zezë po shtohet nga dita në ditë.
Ky është krimi më i madh politik e qeveritar mbi njeriun e Kosovës, mbi qytetarin e Republikës”, u shpreh ai.Kurti, në formë ironie iu është drejtuar qeverisë Hoti, si “Qeveria Koti” derisa ministrit të Shëndetësisë Armend Zemaj, iu është drejtuar si “ministri Zezaj”, shkruan GazetaBlic.“Populli i Kosovës ka një refleks padëgjueshmërie qytetare ndaj kësaj qeverie të pabesueshme. Politikanët që e kanë pre në besë popullin, populli kurrë nuk u beson. Kjo qeveri nuk gëzon besimin e popullit, sepse është besëthyer.
Prandaj, armiku të cilit qeveria po synon t’ia shpallë gjendjen e jashtëzakonshme është pikërisht populli. Ministri Zezaj i qeverisë Koti po ju kanoset qytetarëve të cilët tashmë i ka shpallur të pabindur e të padisiplinuar. Pra, gjendjen e jashtëzakonshme po duan t’ia shpallin popullit. Por, ne e dimë që sistemi shtetëror, në përgjithësi, nuk ka dështuar, dhe se dështimi ka emra të përveçëm individësh. Nuk kanë dështuar policia apo mjekësia, por ministrat dhe qeveria”, ka thënë Kurti.
Discussion about this post