Një lajm i mirë vjen sot sa i përket situatës epidemiologjike në vend. Në 24 orët e fundit janë konfirmuar 119 raste të reja pozitive me Covid-19 që është një shifër dukshëm më e ulët sesa e ditëve të fundit ku numri i të infektuarve e kalonte shifrën prej 200.
Kështu ka bërë të ditur drejtori i IKSHPK-së Naser Ramadani i cili ka thënë se situata në Kosovë është më e qetë, njofton Klan Kosova.
“Duke pasë parasysh që ditëve të fundit kemi pasë një situatë epidemiologjike me rritje të numrit të rasteve të Covid-19, situata ka filluar të normalizohet, të jetë më e qetë dhe të jetë nën kontroll me gjurmimin e të gjitha rasteve të cilat janë gjurmuar në laboratorin e IKSHPK-së dhe që dalin nga klinikat e SHSKUK-së, spitaleve rajonale dhe të Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare”.
“Më datën 14 korrik 2020 në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR janë testuar gjithsej 420 mostra të marra nga QKUK-ja dhe gjurmimi i kontakteve në terren prej të cilëve rezultojnë 119 raste pozitive. Numri total i rasteve pozitive në Kosovë është 5237 nga 29 mijë e 60 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2, me gjithsej 112 raste të vdekjes të cilët kanë pasë sëmundje të tjera shoqëruese”.
“Në këtë 24 orësh të fundit janë shëruar 92 pacientë, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është 2462 raste, derisa numri i rasteve aktive është 2663”. Komuna e Prishtinës vazhdon të prijë me numrin e të infektuarve me Covid-19 me 63 raste të reja në 24 orët e fundit. “Rastet pozitive janë nga: Komuna e Prishtinës 63 raste, Komuna e Gjakovës 12 raste, Komuna e Drenasit 6 raste, Komuna e Fushë Kosovës 5 raste, Komuna e Pejës 5 raste, Komuna e Podujevës 5 raste, Komuna e Skenderajt 3 raste, Komuna e Ferizajt 2 raste, Komuna e Deçanit 2 raste, Komuna e Gjilanit 2 raste, Komuna e Istogut 2 raste, Komuna e Kaçanikut 2 raste, Komuna e Lipjanit 2 raste, Komuna e Vushtrrisë 2 raste, Komuna e Obiliqit 2 raste dhe me nga 1 rast komunat: Kamenicë, Kllokot dhe Rahovec”. Drejtori i IKSHPK-së ka rekomonduar që qytetarët t’i mbajnë maskat, distancën fizike dhe higjienën personale në mënyrë që kurba e infeksionit të ulet.
Discussion about this post