Ngritja e aktakuzës nga Zyra e Prokurorit Special të Hagës ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli e ka vënë këtë parti në pozicion të palakmueshëm politik.
‘Thikë me dy teha’ po e quan analisti Fitim Salihu pozicionin e Partisë Demokratike në kohën kur ajo mund të humb dy liderët historikë të saj, Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin.Sipas tij, do të jetë e rrezikshme që ajo të qëndrojë jashtë qeverisë, por njëjtë do të jetë edhe nëse hyn dhe shkelë premtimin ndaj votuesve.
“Kjo është thikë me dy teha për PDK-në. Me një anë, në Gjykatë Speciale dy liderët e saj historikë, duke e llogaritë edhe Thaçin, pavarësisht se është president, ai ka qenë themelues dhe kryetari më afatgjatë i partisë, në atë rast me dy liderët historikë në Hagë dhe duke qenë në opozitë PDK-ja do të ishte goxha e rrezikuar të qëndrojë jashtë qeverisë, do ta rrezikonte goxha shumë performanën e vet në zgjedhjet e ardhshme, pra mund të themi që PDK-ja nuk guxon të rrezikojë që pa liderët historikë të qëndrojë në opozitë.
Do të ishte shumë e pambrojtur. Por, në anën tjetër është edhe rreziku që pikërisht duke hyrë në qeveri PDK-ja të duket sikur po e shkelë premtimin që e ka dhënë vetë kryetari Veseli në natën e zgjedhjeve, premtim që e kanë përcjellë edhe pas zgjedhjeve se ata duan të qëndrojnë në opozitë”, thekson Salihu, për GazetaBlic.Mungesa e numrave në Kuvend, po shihet si shkas tjetër që qeverisë t’i bashkangjitet edhe një parti tjetër. PDK-ja, thotë Salihu, do të ketë rol thelbësor për zgjidhjen në Kuvend.
“Nga ajo që përflitet jozyrtarisht, ka gjasa që PDK-ja të futet në qeveri sepse edhe nëse nuk ka aktakuzë njëherë për Thaçin, ka qenë e ditur se me përfundimin e mandatit të tij, koalicioni aktual nuk i ka votat e nevojshme për ta zgjedhur presidentin e ri dhe padyshim aty do t’i duhet bashkëpunimi me PDK-në ose me VV-në, që së paku ta siguroj kuorumin e nevojshëm për zgjedhjen e presidentit. Por edhe nëse nuk futet në qeveri PDK-ja, do të jetë një aktor krucial për zgjedhjen e presidentit të ri”, ka thënë Salihu.
Discussion about this post