Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sonte iu është adresuar qytetarëve të Kosovës, pas rikthimit nga Haga ku u intervistua 4 ditë radhazi, shkruan IndeksOnline.
Thaçi ka theksuar se historia e Kosovës nuk do të rishkruhet asnjëherë.
Thaçi tha se nuk do të lejoj asnjëherë që të njolloset Ushtira Çlirimtare e Kosovës.
Ai tha se “nuk vë fare në dyshime se detyra ime është ta mbroj Kosovën që procesi ku më kanë përfshirë mua dhe bashkëluftëtarët e mij, padrejtësisht, të pengoj punët e mëdha që ka atdheu, Kosova”.
“Tri gjëra dua t’ju them duke kërkuar mirëkuptimin tuaj njerëzor që të mos hyj në detaje të këtyre ballafaqimeve.
E para: siç e kam thënë edhe para se ta kapërceja pragun e gjykatës, historia e lavdishme e luftës çlirimtare dhe e shtetformimit të Kosovës së pavarur, demokratike dhe evropiane nuk mund të rishkruhet nga askush!
Sot ju them me bindje se ky proces jo vetëm që nuk do ta rishkruajë këtë histori të shkruar me gjakun dhe sakrificën e një populli të tërë në luftën për liri, por përkundrazi, nga ky proces, cilado qoftë rrjedha dhe kohëzgjatja e tij, historia e lavdishme e rezistencës, mbijetesës dhe triumfit mbi një pushtues, që kërkoi të shfaroste popullin shqiptar të Kosovës nga faqja e dheut me fshesën e fashizmit etnik, do të bëhet njëherë e përgjithmonë e paprekshme nga askush!
E dyta: ky proces i radhës është në vazhdën e 21 vjetëve të akuzave, shpifjeve e fabrikimeve mbi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe përpjekjeve të popullit të Kosovës për liri dhe shtet.
Por, ky proces do të vulosë njëherë e përgjithmonë rolin historik të UÇK-së si një rol i pazëvendësueshëm dhe i patjetërsueshëm për lirinë e fituar për të gjitha gjeneratat që do ta gëzojnë Kosovën si shtet të pavarur dhe demokratik.
Këto përbuzje etnike, maltretimi i shqiptarëve qysh në barkun e nënës, sjelljet gjenocidale kundër populli me të drejtë historike mbi këtë tokë, represioni i kulmuar me spastrim etnik deri në përmasat gjenocidale do të jetë një prej faqeve më të errëta të së shkuarës, që kurrë më nuk do të mund të rikthehet.
Dhe e treta: unë që pata fatin dhe nderin të kem rol në luftën dhe në rrugën e pavarësisë e të shtetformimit të Kosovës, ndjehem sot edhe më i bindur, edhe më i vendosur sesa përpara këtij ballafaqimi për vlerën e madhe që ka mundimi dhe sakrifica personale për ta çuar deri në fund zbardhjen e kësaj historie 22 vjeçare.
Një histori e mbushur me lëndime të shkaktuara nga akuzat kundër meje dhe kundër luftës sonë të përbashkët me SHBA-në, me NATO-n, me shtetet e Bashkimit Evropian dhe shtetet mike të tjera, për çlirimin e popullit të Kosovës nga diktatura fashiste e Sllobodan Millosheviqit dhe e shtetit të Serbisë.
Të dashurit e mi,
Sonte dua të përsëris se për mua Kosova është gjithnjë e para.
Nëse për Kosovën isha gati të jap jetën kur isha një djalë i ri, sot që jam një prind me thinja nuk kam fare dyshim se detyra ime është ta mbroj Kosovën, duke mos lejuar që procesi ku më kanë përfshirë mua dhe bashkëluftëtarët e mi krejt padrejtësisht, të pengojë punët e mëdha që ka përpara Kosova.
Prandaj, duke ju falënderuar nga thellësia e zemrës për këtë respekt dhe solidaritet gjithëkombëtar, dua t’ju lus të gjithëve që ta vendosni Kosovën mbi dallimet politike partiake, mbi hatërmbetjet dhe pakënaqësitë e përditshme”, tha ai./IndeksOnline/
THAÇI U DREJTOHET QYTETARËVE
Posted by RTK on Saturday, 18 July 2020
Discussion about this post