Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, është duke raportuar mbi krizën energjetike në vend në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti.
Ajo tha se situata aktuale në vend nuk është e mirë dhe se në tri ditët e ardhshme pritet të jetë më e rënduar.
“Prej momentit kur kriza ka filluar të prekë vendet e rajonit, e kemi përcjellë situatën, kemi themeluar edhe task forcën teknike e cila ka përgatitur raport, të cilin jemi duke e analizuar në Qeveri. Kërkesat për subvencione janë të mëdha dhe jemi duke i shikuar hapat e ardhshëm me qëllim që të synojmë që efektet tek konsumatorët të jenë sa më të ulëta.
Sa i përket situatës aktuale në vend, KEK zakonisht operon me dy blloqe, ka bërë përpjekje gjatë javëve të fundit, që të fus në operim edhe njësinë e tretë të Kosovës A. Tentimi i parë për të mbajtur të tri blloqet njëkohësit, nuk ka qenë i suksesshëm, gjë që ka vështirësuar situatën për disa ditë.
Para dy ditësh blloku i dytë i Kosovës A është vënë në funksion. Sot është dashur që një bllok i Kosovës B detyrimisht të ndalohet për 36 orë për disa riparime. Tri ditët e ardhshme pritet që situata të jetë edhe më e rënduar.
Blloku A4 ka dalë prej funksionit, para 10 ditësh kur është tentuar të vihen në funksion tri blloqe përnjëherë. A5 e ka kaluar remontin, dhe futja në funksion e tij para 10 ditësh, ka qenë shkaktar i atij problemit teknik, si pasojë e të cilit kanë ra prej sistemi tri blloqet”, u shpreh ajo.
Discussion about this post